Poezi per Vjeshten - Vjersha per Vjeshten – Krokodili

Poezi per Vjeshten - Vjersha per Vjeshten – Krokodili

https://krokodili.al/poezi/per-vjeshten/





Poezi per Vjeshten – Vjersha per Vjeshten

E hidhur vjeshte e ketij viti



Ne memorje te demonstratave studentore

ne Prishtine ne vitin 1981



E hidhur vjeshte e ketij viti

Kosoven gjeti nen terror

Korba te zes mbi te ja mbriten

Hetues,gjykates,prokurore.



Me 5 vjet burg,me 8,me 7

Me 12 denojne diku

Keshtu mes jush shekullin ndani

Dhe mijevjecarin ndani ju.



Keshtu e preket historine

Mbi supe e bartet JU serish

Prangat ne shkolle qe i mesuat

Ne duar i ndjete befasisht.



Dhe pate se nuk ish larg mesjeta

S`qe larg dhe vec ne endra s`qe

Dh`u kthye nata e Prishtines

Ne naten Shen Bartoleme



U ngritet Ju vigane,fisnike

Me korektese e madheshti

Ngaqe kerkuat *Republike*

Ju shtypen si ne Monarki.



Por koha kurre s`vjen pergjysem

Nat e masakres vetem s`mbrin

Se pas Dushanit car te frikshem

Rrufeshem Skenderbeu arin.



S`kish deshmitare,TV nuk pati

Zinxhir i tankut kur ju griu

Por rete e globit vec ju pane

Ndergjegje e botes tek ju mbriu.



Keshtu ne vorbull te epokes

U ngritet Ju si monument

Ju qe e preket historine

Dhe n`histori u kthyet vete.



Mbarim vjeshte



Fluturoj dhe shtërg’ i fundit, madhështor, me shpirt të gjorë

Dyke shkuar që-me-natë sipër malesh me deborë

Iku rënd’ e i përmallshëmë, dhe me sqep të ri të fortë

Zotëriut q’i la folezën i trokiti mun në portë…



Pra, më s’duket shpes’i fatit prapa bujqësh dhe plorësh,

Prapa brazdës së rrëxuar hap-me-hap prej qe maloresh;

Më s’dëgjohet nër ugare të kërcasë miu i hirtë,

Vdiq nepërka pikëlore ndaj blatisht’ e shkretëtirtë.



Dher-i i mardhur prej thëllimi dirgjet heshtur nënë brymë,

Fryn veriu në pyll të thatë me zemrim e me fërtymë,

E si shtohet cingërima… Ja! Se ku dinak dh’i voçrr…

Nëpër gardh-e nëpër ferra dërdëllet gazmor një çoçërr !…



O! sa hir që kishte shtërgu, aq fisnik me shtat të gjorë,

Kur bariste dal-nga-dale, – posi dhëndër me kurorë!…

E kur pranë-i vinte krilla, që shëndrij në kraharuar,

Me sy lart, me hap të matur – posi vash’ e nusëruar!…



Ne velin e vjeshtes



Në këtë pyll vjeshtak

Si ujët e liqenit me pamje të trishtuara

Si një erë e lehtë si një vesë mëngjesi

Ndjej tek vizatohen pikturat e fëmijërisë

Në lëkurën e tokës në hartën e një gjethi



Sa larg jemi në këtë shëtitje

Nga pylli ku dikur me një shportë në dorë

Doja t ia mblidhja gjitha ngjyrat



Si dy statuja

Qëndrojmë në skaje të pyllit

Duke numëruar pellgjet



Flasim për jetën si të ishte një film

Pa menduar se në buzën e një gremine

Si pikat e shiut nëpër degët e pemëve

Dhe si një kurorë resh të bardha

Enden hapat tanë të veckël



Në tokën pyllit të mesditës

Sot mbetet vetëm diçka si shushurimë

Dhe ngjyrat e pyllit vjeshtakt



Ne freskine e nje Vjeshte te bukur



Në freskinë e një vjeshte është bukur,

të dridhet shpirti si gjethe mbi mollë –

dhe të shohësh parmendën e diellit

si çan sipërfaqen e lumit, ujin kaltror.



Është bukur të shkulësh nga trupi

Gozhdën e nxehtë të një kënge

dhe me fustan të bardhë festiv

të presësh trokitje në derën tënde.



Unë mësoj me zemër, mësoj, të ruaj

në sytë e mi lulen e egër të qershisë

Vetëm vetpërmbajtja ndjenjat ngroh

Kur një krisje e hollë gjoksin e gris.



Në heshtje kumbon kambanorja e yjeve,

Për mëngjesin çdo gjethe është një qiri.

S’do lejoj të futet në dhomën time askënd

s’kam ndërmend t’i hap derën kujt assesi.



Vjeshte e vone ne Venecia



Tani qyteti s’pulson më si karrem i prirur,

për të zënë gjithë ditët e dala në sipërfaqe.

Pallatet e qelqtë tingëllojnë më ngjirur

në vështrimin tënd. Dhe në kopshte shfaqet



vera si nje pirg kukullash të varura mes fijesh

kokëposhtë, të lodhura, të vrara.

Por nga toka, prej skeletesh të vjetër pyjesh

ngrihet lart vullnet: si të donte më përpara



gjeneral i detit natën të dyfishonte

galerat në të pagjumtin l’arsenale

e puhizen e mëngjesit të asfaltonte



me një flotë, që duke rrahur lopatat nxitur,

shpejton dhe befas me tërë flamurët ngritur

zë erën e madhe, verbuese dhe fatale.



Mbyllja e kafes verore



Shiu i vjeshtes trotuareve rodhi si perrua.

Kafja verore u mbyll. Dritat u shuan.

Ekspresi u fik, pista ja mbeti e shkrete.

Karrigat i mblodhen gjunjet e holle si lejleket.

Karrigat ne qeoshe do t’i lage pas shiut debora…

Kush mund te shkruaje historine e nje kafeje verore?

Qindra biseda, tingellima gotash te bardha.

Ah, midis tyre njera m’u duk si krisme arme.

Dike e fejuam me mbles ne kafen’ verore.

U ndje midis gotave jehu i pushkes kanunore.

Shiu i vjeshtes tani trotuareve derdhet.

Kafja verore u mbyll. Gjethe te verdha.



Vjeshta



Një sorrë në plep

Në tokë shumë fletë.



Bujku në arë

Në tokë shumë farë.



Në qiell retë zi

Në tokë shumë shi.



Tash më shumë

Ka ujë në lumë.



Vjeshte



Ditët sa vijnë e gjymtohen,

shirat janë në të zbrazur,

dera ime, deri në fund ty të pret e hapur..



Pse mbete kaq vonë???



Në sofrën time ka speca, bukë e kripë,

Në një kutruve, verën që ruajta për ty,

E piva deri në gjysmë i vetëm,

duke të pritë…

Pse mbete kaq vonë???



Por ja frutat e mjalta

Qëndrojnë në degë, të pjekura flakë,

Do të binin në tokë,

Nëse do vonoheshe edhe pak!..







Krokodili https://krokodili.al